TIRANE– U prezantuan sot, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, (KLD) dy anëtarët më të rinj të këtij Këshilli, Artan Broci dhe Astrit Haxhialushi. Gjyqtarët u zgjodhën në detyrën e anëtarit të KLD-së, nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, e cila zhvilloi punimet e saj pak ditë më parë. 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëherësh Kryetari i KLD-së, duke uruar dy anëtarët e rinj të Këshillit për detyrën e marrë, u shpreh se, “kontributi juaj do të jetë një vlerë e shtuar në KLD, në objektivat e saj për zhvillimin e sistemit gjyqësor". Ndërsa, anëtarët e rinj të Këshillit, Broci dhe Haxhialushi shprehën angazhimin e tyre për të përfaqësuar në këtë institucion vlerat më të mira të sistemit gjyqësor. 

Sikurse ishte parashikuar në rendin e ditës, KLD ka marrë sot në shqyrtim reformën lidhur me stafin administrativ të Këshillit dhe inspektoriatin e Këshillit, me synim rritjen e eficensës në veprimtarinë e tyre.