Me firmën e Edi Ramës, Ulsi Manjës dhe Taulant Ballës, socialistët dorëzuan sot në Kuvend draftin me ndryshimet ligjore, përmes së cilit synohet që të mos lejohen më gjykatat të pezullojnë nga detyra ministrat, apo postet e tjera kushtetuese.
PS synon të prekë nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, që aktualisht nuk lejon pezullimin nga detyra vetëm të deputetit, kryebashkiakut dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Në të do të shtohen edhe Presidenti, Kryeministri, zv.kryeministri, ministrat, Avokati i Popullit, Kreu i KLSH-së dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Manja, Balla dhe kryeministri Edi Rama bënë të qartë se ky ndryshim ligjor nuk lidhet me rastin e Ballukut, por me nevojën për plotësimin e një boshllëku ligjor, duke theksuar se në asnjë rast kjo nuk ëstë çendim i pushtetit gjyqësor.
“Nuk ndërhyhet në kompetencat e pushtetit gjyqësor, harmonizon ushtrimin e funksioneve kushtetuese me procedim penal. Parimi i proporcionalitetit respektohet, pasi ndërhyrja është e kufizuar, nuk heq përgjegjësi penale, nuk pengon gjykim, pro rregullon mënyrën aplikimit të një mase të caktuar ndaj funksioneve kushtetuese”, tha Manja.
“Nuk cenohet pavarësia e prokurorisë dhe gjykatave me këtë nismë që kemi ndërmarrë. Hetimi, ndjekja dhe gjykimi penal mbeten të paprekura. Kompetencat e organeve të drejtësisë mbeten të paprekura sipas Kushtetutës dhe ligjit”, tha Balla.
“Kush e lidh me rastin konkret bën gabim, rasti konkret ka rrugën e vetë, nuk ka lidhje me pezullimin. Por pezullimi është i papranueshëm, dhe për këtë arsye ne do merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në kuvend ndërhyrje në territorin kushtues të pushtetit ekzekutiv”, theksoi Rama.
Në mbledhjen e grupit të PS ku u preznatua drafti me ndryshimet ligjore, kryeministri Edi Rama bëri me dije se Belinda Balluku i ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen, por ai ia ka refuzuar.
“Belinda Balluku ma ka dorëzuar tri herë dorëheqjen. I kam atje në dosje, tri herë. Një herë kur iu ngrit akuza, hera e dytë kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim dhe tri herë e kam refuzuar unë dorëheqjen. Dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe është futur në territorin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv, nuk ka”, theksoi Rama.
Shefi i qeverisë tha se Këshilli i Mandatave do të shprehet për kërkesën e SPAK për arrestin e Ballukut para se të kalojnë për votim në Kuvend drafti me ndryshimet ligjore të propozuara sot.
Miratimi i këtyre ndryshimeve ligjore nuk ka fuqi prapavepruese dhe nuk çliron nga masa e pezullimit Belinda Ballukun, për të cilën socialistët më 23 shkurt mbledhin Këshillin e Mandateve për arrestimin, pasi Gjykata Kushtetuese të zbardhë vendimin e saj, ku la në fuqi pezullimin nga detyra.
KODI I PROCEDURËS PENALE, NENI 242
SI ËSHTË…..
“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.
SI BËHET….
“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, zv.kryeministri, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”.





