Bashkëjetesa harmonike e qytetarëve të Durrësit dhe toleranca fetare mes komunitetit islam, ortodoks dhe katolik nuk është një fakt i njohur vetëm gjatë viteve të demokracisë, kur u rihapën kishat e xhamitë.

Kjo tolerancë fetare dhe mirëkuptim mes komuniteteve me besime fetare të ndryshme i ka rrënjët të ngulura fort në dekadat e para të shekullit të kaluar.

Për ta risjellë këtë periudhë dhe disa nga personazhet e saj në kujtesën e qytetarëve që i kanë përjetuar ato vite, por edhe brezave më të rinj që u lindën në vitet e komunizmit apo demokracisë kishin menduar dy gazetarë të njohur të qytetit, Gëzim Kabashi dhe Astrit Tahiri.

Mbrëmjen e së mërkurës u prezantua në teatrin “Aleksandër Moisiu”, dokumentari “Klerikët miq të Durrësit”, për të cilin punuan për më shumë se 8 muaj dy gazetarët.

Përmes dokumentave nga arkivat e kohës, dëshmive të familjarëve, studiuesve të historisë, por edhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare, dokumentari hedh dritë mbi jetën dhe veprimtarinë e 4 klerikëve të njohur të qytetit, myftiut Mustafa Varoshi, Papa Erazmi Jorgos, si dhe Ipeshkvit Jul Bonati dhe Vincens Prenushi.

“Ne e quajtëm një detyrim të profesionit tonë që të tregojmë këtë histori, e cila jo vetëm atyre që e kanë dëgjuar nga prindërit e tyre por edhe ato që tashmë janë të rinj në të ardhmen kanë mundësi ta ritregojnë”,– thotë ndër të tjera gazetari Kabashi.

Në 50 minuta, dy realizuesit e tij sjellin mjaft dëshmi jetësore nga ata që i njohën nga afër klerikët e nderuar dhe vijojnë e kujtojnë sot e kësaj dite miqësinë e fortë që i lidhte këto personazhe, që pavarësisht besimit fetar të ndryshëm kalonin shumë kohë së bashku duke e reflektuar këtë marrëdhënie të ngushtë dhe mirëkuptim reciprok edhe tek komunitetet fetare që drejtonin.

Puna për ta realizuar këtë dokumentar nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi bëhet fjalë për një periudhë kohore disa dekada më parë dhe gjetja e materialeve filmike, fotove, dokumentave arshivore, por edhe personave që i kanë njohur nga afër 4 klerikët paraqet vështirësitë e veta.

“Nisëm punën që në muajin shkurt për ta përmbyllur vetëm një ditë më parë. Eshtë një punë e gjatë studimore më shumë sesa dokumentare në kuptimin e dokumentarit të shfaqur. Çdo punë nuk ka përsosmëri. Ne nuk jemi profesionistë të dokumentarit dhe as kineastë, por kemi bërë një punë si gazetarë”,- tha ndër të tjera Astrit Tahiri.

Gjatë shfaqjes së dokumentarit ishin të pranishëm në sallën e teatrit të Durrësit figura të njohura të jetës politike dhe publike, drejtuesit më të lartë të besimeve fetare në qytet, por edhe shumë qytetarë durrsakë dhe artdashës.

M.B.