Drejtori i ri Policisë së Burgjeve do të jetë Bardhyl Kaçorri. Emrin e bëri publik ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, gjatë një takimi me drejtorët e burgjeve, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.

“Duke nisur nga sot, Bardhyl Kaçori do të jetë drejtori i ri i Policisë në Burgje, me eksperiencë dhe i cili ka pasur poste të larta drejtuese”, tha Gjonaj.

Kaçorri zëvendëson Enrik Sulejmanin, i cili u shkarkua nga kreu i Burgjeve, Stefan Çipa, dy javë më parë, pasi nuk arriti të shoqëronte Ervis Martinin nga spitali privat drejt spitalit të burgut, duke mos respektuar kështu detyrimin ligjor.

Gjatë fjalës së tij Rama tha ndër të tjera se nuk do të ketë asnjë tolerim për asnjë zyrtar që do të favorizojë apo bashkëpunojnë me kriminelët.

“Do të ndëshkohen pa asnjë rezervë, kush bashkëpunon me elementët kriminalë, duke vënë në pikëpyetje integritetin e institucioneve. Do të ndëshkohet pa asnjë rezervë, kushdo qofshin ata…”, u shpreh shefi i qeverisë.