Një skulptor që shkruan për një skulptor. Monografia kushtuar mjeshtrit Sabri Tuçi u prezantua mbrëmjen e së enjtes në ambientet e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, nën moderimin e Teuta Dhimës.

Për këtë monografi, skulptori Idriz Balani punoi 12 vite me radhë për mbledhjen e informacionit të nevojshëm për mjeshtrin e skulpturës durrsake, njëherazi edhe mësues i tij.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, Balani tregon se kjo është vepra e parë kushtuar skulptorit Tuçi dhe synon të hedhë dritë mbi kalvarin e jetës së vështirë të mjeshtrit gjatë viteve të regjimit të kaluar, por edhe mbi vlerat artistike të krijimtarisë së tij.

Gjatë mbrëmjes artistike, shoqata “Durrësi Autokton” e vlerësoi punën e skulptorit Balani bërë për këtë monografi me titullin e lartë “Mirënjohja e qytetit”.

Mjeshtri Sabri Tuçi lindi në qytetin e Krujës më 1916. Ai mbaroi studimet për skulpturë në Akademinë e Arteve në Romë, në Itali.

Në krijimtarinë e tij, Sabri Tuçi ka realizuar mbi 182 vepra që janë vendosur në qytete të ndryshme të vendit. I persekutuar nga regjimi komunist për shumë vite atij iu ndalua veprimtaria krijuese për shkak se bashkëshortja e tij italiane u burgos për agjitacion e propagandë.

M.B.