FIER– Interesi për rritjen e fitimit të fermave ka sjellë kultivimin e kulturave të reja bujqësore në Shqipëri. Një shembull i mirë për këtë është shfaqja e interesit të fermerëve të Myzeqesë dhe zonave jugore për të kultivuar në masë bimë të panjohura më parë në vendin tonë. Zv/ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, i shoqëruar nga drejtues të qendrave shkencore dhe kërkimore ka marrë pjesë në një seminar që u zhvillua në Fier, ku shumë fermerë u njohën me bimën Stevia. Në këtë takim prezantimet kryesore ishin ato që bënë specialistë të Institutit të Filios, Greqi dhe fermerë të shoqatës “Stevia”, Greqi. 

Të dhënat të cilat iu prezantuan autoriteteve shqiptare dhe fermerëve kishin të bënin me teknologjinë e kultivimit të bimës Stevia, vlerat e larta ekonomike dhe të ardhmen e këtij sektori të bujqësisë. Bima e Stevia, e panjohur deri më tani në Shqipëri, po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën. Stevia, ose e quajtur edhe si bima e së ardhmes, ose edhe Bima Diabetike është një bimë tipike sheqerore. Kjo bimë kultivohet për shkak të përmbajtjes së lartë të sheqerit në gjethen e saj. Ajo është 300 herë më e ëmbël se sheqeri që përdoret sot. Gjatë seminarit të organizuar në Fier u bënë shumë pyetje nga fermerët dhe pjesëmarrësit e tjerë. 

“Po shikojmë me kujdes dhe i japim rëndësi shqyrtimit me kujdes elementeve të reja, kulturave të reja, të cilat mund të ndihmojnë fermat dhe fermerët shqiptarë. Ne si ministri do të ndjekim nga afër dhe kontrollojmë hyrjen e çdo kulture të re, që është në dobi të fermerit shqiptar dhe ekonomisë së vendit tonë. Veç mbështetjes së fermerëve, nga ministria do të zbatohen të gjitha normativat dhe ligjet në fuqi të Bashkimit Europian”, – tha gjatë seminarit Tokli Thomai, zv/ministër i Bujqësisë.