Emiljan Jani, Prefekti i ri i Durrësit, është prezantuar sot para administratës së Prefekturës.

Prezantimi i tij është bërë nga dy zëvendësministrat e Ministrisë së Brendshme, Stefan Çipa dhe Rovena Voda (kjo e fundit e ka marrë këtë detyrë një ditë më parë).

Në ceremoninë e prezantimit mori pjesë edhe ish- Prefekti i Durrësit, Roland Xhelili, i cili është bërë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të PS në Durrës. Prefekti i ri, Jani 59- vjeçar, deklaroi se do të ndjekë rrugën e paraardhësit të tij, duke e patur një shembull të mirë për punën që ka kryer në Durrës.

Roland Xhelili kujtoi ditën  e parë kur shkeli në institucionin e Prefekturës, për të përmbushur detyrat e tij.

Marrëveshjet politike dhe kandidimi në zgjedhje i prefektëve kanë sjellë një sërë ndryshimesh tek përfaqësuesit e institucioneve në nivel qendror dhe vendor. 

K.H.