Gjen zgjidhje kriza qeverisëse në Itali plot dy javë pas dorëheqjes zyrtare të Giuseppe Conte nga drejtimi i qeverisë së koalicionit 5 Yje- Lidhja.

I ngarkuari nga Presidenti Mattarella, me mandatin e dytë të kryeministrit të qeverisë së re, Giuseppe Conte ka prezantuar sot tek kreu i shtetit, listën e skuadrës së ekzekutivit të koalicionit të ri qeverisës 5 Yje-Partia Demokratike si dhe programin pragmatik me 26 pika që orientojnë çështjet kyçe si shkurtimi i numrit të parlamentarëve, reduktimi i taksave, zgjidhja e çështjes së emigracionit, reformimi i sistemit të drejtësisë, temat sociale, familja, ambienti etj,

Risia në formatin e qeverisë së re 5  Yje-PD është mungesa e postit të zëvendëskryeministri,  i cili në qeverinë e mëparshme ishte i ndarë mes 2 lidërve të 2 forcave politike Luigi Di Maio e Matteo Salvini.

Lideri i 5 Yjeve Di Maio, ka marrë në qeverinë e re, postin e Ministrit të Jashtëm e vendin e tij në krye të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomike e merr Stefano Patuanelli.

Ministër i Ekonomisë është zgjedhur eurodeputeti Roberto Gualtieri i Partisë Demokratike e Kryetar i Komisionit të Bilancit në Parlamentin Evropian.

Ministër i Brendshëm në vend të Matteo Salvinit është emëruar Luciana Lamorgese, ish prefekte e Milanos dhe ish prefekte e Venecias. 

Betimi i qeverisë së re italiane do të bëhet të enjten, ora 10.00.