19 shkurt 2015 – Armando Vajushi u prezantua zyrtarisht me skuadrën e tij të re të Chievo Veronës. Mesfushori kuqezi u shfaq përpara gazetarëve bashkë me blerjen tjetër të dimrit të veronezëve, Myles Anderson, ku pozuan dhe me fanellat e tyre të reja. Te Chievo, Vajushi do të mbajë mbi supe numrin 11-të. Përpara mediave italiane Vajushi falenderoi klubin e Chievos që i dha mundësinë për të dhënë kontributin e tij në skuadër:
"Që fëmijë ëndërroja një mundësi të tillë. Falë prindërve të mi, unë besova në këtë ëndërr", ishin fjalët e Vajushit në sallën e konferencave që shtoi se tashmë i takon atij të meritojë të mbajë veshur fanellën e skuadrës së Serisë A. Vajushi firmosi me Chievon më 1 shkurt, në ditën e fundit të merkatos dhe u prezantua fillimisht nga presidenti Campedelli. Me kombëtaren shqiptare, Vajushi ka luajtur në total 6 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol, në qershorin e 2014 në miqësoren ndaj San Marinos.





