Prezantohet zyrtarisht para strukturave të PD Durrës, kandidati Luan Hoti, i cili është përfshirë në garën për zgjedhjet e pjesshme lokale për kryetarin e bashkisë.

Pasditen e sotme, në selinë e PD Durrës, në praninë e dy nënkryetarëve Grida Duma dhe Agron Gjekmarkaj, deputetëve të qarkut Durrës dhe jo vetëm, 3 nënkryetarëve të degës lokale etj u bë prezantimi i Hotit vetëm një ditë, pasi kryesia e PD zgjodhi 6 kandidaturat me të cilat do të përfaqësohet në 6 bashkitë e vendit.

Takimi u hap nga nënkryetarja Grida Duma, e cila gjatë fjalës së saj u ndal në vlerat që përfaqëson kandidatura e Luan Hotit, jurist në profesion, si personi më i përshtatshëm për t’u zgjedhur në krye të bashkisë Durrës pas një qeverisjeje më shumë se 2 dekada të PS-së.

Sipas Dumës, përzgjedhja e kandidaturës së Hotit u bë pas një përzgjedhjeje dhe konsulteje të gjerë mes strukturave të PD-së lokale.

Njëkohësisht Duma theksoi se në mbështetje të Hotit do të vijë nga kryeqyteti një trupë e gjerë e strukturave qendrore, me qëllim dhënien e të gjithë suportit të nevojshëm për të arritur objektivin final, fitoren e bashkisë Durrës.

Ndërsa kandidati Hoti, i cili mban edhe postin e kreut të komanduar të degës lokale, u shpreh se ndihej i privilegjuar nga besimi që i kanë ofruar të gjitha strukturat dhe njëkohësisht premtoi se më 6 mars, bashkia do t’i rikthehet qytetarëve.

Për nënkryetarin e PD-së, Agron Gjekmarkaj, përzgjedhja e Hotit për garën e 6 marsit, është përzgjedhja e duhur, sepse vetëm kështu Durrësi do të shpëtojë nga kthetrat e mafias së betonit, për t’u kthyer në një bashki të qytetarëve dhe për qytetarët.

M.B.