Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, është befasuar së fundmi me prezencën e një bashkëkombasi në një radiostacion në Skoci.
Më saktësisht ajo po jepte një intervistë në emisionin e mëngjesit në Capital FM të Skocisë, kur mësoi se një nga prezantuesit, i quajtur Fat (emri i plotë i së cilit është Fat Brestovci) ishte gjithashtu shqiptar nga Kosova.
Ai kishte një mënyrë të veçantë për t’i uruar mirëseardhjen – me një përshëndetje në gjuhën shqipe.
“Mirëngjesi Rita, mirëse erdhe në Capital Breakfast”, iu drejtua ai, ndërsa Rita, pa humbur asnjë moment, iu përgjigj me po aq ngrohtësi në shqip me një “Mirëmëngjesi” të sajën.
E entuziazmuar nga kjo përvojë, Rita nuk ngurroi të shprehë çudinë dhe gëzimin e saj. “Është vërtet një çmenduri, më treguan para se të vija.
Nuk kam takuar kurrë në jetën time dikë që vjen nga vendi im dhe ka theks skocez. Kjo është e mrekullueshme”, tha këngëtarja në intervistën e saj.