Reshjet e dëborës kanë zbardhur disa nga zonat verilindore të vendit. Gjithashtu edhe temperaturat kanë pësuar një ulje të ndjeshme gjatë ditës së sotme.

Si pasojë e reshjeve të borës, Policia e Shtetit iu bën apel drejtuesve të automjeteve dhe motomjeteve për kujdes të shtuar.

Policia këshillon drejtuesit për ulje të shpëjtësisë si dhe përdorimin e gomave dimërore dhe zinxhirëve.

“Si pasojë e motit të keq me reshje dëbore në Dibër, Kukës dhe Shkodër, Policia e Shtetit apelon për KUJDES TË SHTUAR për drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve.

Drejtuesit e automjeteve këshillohen të ulin shpejtësinë dhe të ruajnë distancën e sigurisë me mjetet e tjera. Është e rëndësishme të respektohet sinjalistika rrugore, të ndiqen udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore dhe të shmangen lëvizjet e panevojshme në zonat me vështirësi qarkullimi, kyesisht në zonat malore.

Në rast të udhëtimeve në zonat e prekura nga reshjet e dëborës, automjetet duhet të jenë të pajisura me goma dimërore dhe zinxhirë. Borëpastrueset dhe fadromat vijojnë intensivisht punën për pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës”, njofton policia.