Në primaret e Durrësit, gara mes kandidatëve të Komisionit të Rithemelimit është mes urbanistit Ardian Muka dhe Silvja Gjepalit.

28-vjeçarja Gjepali, në një prononcim për “DurrësLajm” deklaroi se u përfshi në këtë garë për të respektuar vullnetin e anëtarësisë dhe strukturave të partisë që e propozuan.

Sipas saj, beteja e vërtetë nuk janë këto primare, por zgjedhjet e 6 marsit për fitimin e bashkisë së Durrësit.

Silvja Gjepali, e diplomuar për Teknologji Informacioni në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, është prej 14 vitesh pjesë e strukturave të Partisë Demokratike në Durrës, e anëtarësuar që në vitin 2008, dhe që prej asaj kohe është angazhuar së bashku me të rinj të tjerë në fushatat elektorale për zgjedhjet vendore dhe parlamentare.

Ajo ka qenë gjatë këtyre viteve pjesë e kryesisë së Forumit Rinor të Partisë Demokratike Durrës, ndërsa tani është sekretare grupseksioni.

Në CV-në e saj politike, Gjepali ka edhe kandidimin në listën e këshilltarëve bashkiakë në zgjedhjet lokale të vitit 2015.  

M.B.