Në primaret e Durrësit, gara mes kandidatëve të Komisionit të Rithemelimit është mes urbanistit Ardian Muka dhe Silvja Gjepalit.
Duke i vlerësuar si proces mjaft demokratik dhe me pjesëmarrje të madhe nga anëtarësia primaret e sotme, kandidati Muka tha për “DurrësLajm” se për herë të parë anëtarësia e PD-së ka mundësinë që përmes votës të zgjedhë kandidatin me të cilin do të përfaqësohen në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.
“Është maksimumi i shprehjes së demokracisë. Me votë ata shprehen për njeriun që duan që t’i përfaqësojë në garën për kryetarin e bashkisë dhe nuk ka moment më të mirë ku ata ta shprehin bindjen e tyre”,- tha Muka, ndërsa nënvizoi se mbi 80% e anëtarësisë do t’i mbështesin primaret.
Urbanisti Muka pritet të jetë kandidati që do të garojë nën logon e një koalicioni opozitar për zgjedhjet e 6 marsit.
Duke u ndalur tek problematikat e Durrësit gjatë 21 viteve që është qeverisur nga kryebashkiakë socialist, Muka deklaroi se më 6 mars do të ndodhë ndryshimi që qytetarët presin prej kohësh.
“Të gjithe ne e shohim qytetin tonë, të gjithë ne e përpflasim nga problematikat që kemi. Pushtetarët kanë pasur gjithë këtë periudhë për t’i zgjidhur. Unë besoj se qyteti i Durrësit, ashtu siç e ka shprehur dhe në raste të tjera dhe në garën për kryebashkiak do bëjë ndryshimin që qytetarët presin”,- tha Muka.
M.B.