Princesha e Uellsit, Kate Midellton ka njoftuar se kanceri i saj është drejt shërimit. Kate përmes një postimi në X tha se ndihet e lehtësuar tani që është drejt shërimit.
“Siç do ta dijë kushdo që ka përjetuar një diagnozë të kancerit, duhet kohë për tu përshtatur me një normalitet të ri. Megjithatë, mezi pres një vit të plotë përpara. Ka shumë për të pritur. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen tuaj të vazhdueshme,” – tha Kate në postimin e saj.
Ajo njoftoi në mars se ishte diagnostikuar me kancer dhe do t’i nënshtrohej kimioterapisë. Që atëherë, ajo nuk ka ndarë publikisht detaje të mëtejshme të diagnozës ose trajtimit të saj. Në shtator, Kate tregoi se kishte përfunduar kimioterapinë.
Kate e bëri njoftimin menjëherë pas vizitës së saj në spitalin “Royal Marsden” në Londër. Gjatë vizitës së saj ajo falenderoi stafin e spitalit për kujdesin dhe mbështetjen e tyre pas diagnostikimit të saj me kancer vitin e kaluar. Gjithashtu dhe për trajtimin e të gjithë pacientëve të cilët janë në betejë me këtë sëmundje.
Princesha e Uellsit jo vetëm që e bëri vizitën për të treguar mirënjohjen e saj ndaj stafit, por edhe për të theksuar kujdesin që ofron spitali. Në foto ajo duket teksa bisedon dhe përqafon pacientët që po i nënshtrohen kimioterapisë.