Princi i Arabisë Saudite Sultan bin Salma bin Abdulaziz Al-Saud, i cili është njëherësh President i Bordit të Komisionit për Turizëm dhe Trashëgiminë Kulturore të Arabisë Saudite, ka mbërritur këtë të enjte për një vizitë zyrtare në Durrës, ku është takuar me kryebashkiakun Vangjush Dako.

Vizita e princit saudit u krye në Muzeun Arkeologjik të qytetit, ku princi ka shfaqur mjaft interes për antikitetin dhe vlerat e rralla që ekspozohen në këtë muze, e po kështu ka shprehur interes edhe për vlerat dhe resurset arkeologjike dhe kulturore të Durrësit.

Nga ana e tij, Dako është ndalur edhe në fushën e turizmit duke e njohur princin Al-Saud me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin, por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. 

Dako deklaroi se zhvillimi i mëtejshëm i turizmit është një prioritet i Bashkisë që ai drejton. Princi i Arabisë Saudite Sultan bin Salma bin Abdulaziz Al-Saud ka vizituar gjithashtu edhe xhaminë dhe amfiteatrin e Durrësit, për ta mbyllur në fund edhe me një drekë.