Prindërit e nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë”, të cilët e zhvillojnë procesin mësimor në shkollën pritëse “Eftali Koçi”, janë vënë në dijeni lidhur me diagnostikimin e një 14-vjeçari me meningit vetëm gjatë paradites së sotme.

Madje disa prej tyre pohojnë se lajmin e kanë mësuar në momentet që janë paraqitur në shkollë në orën 13:00, për të shoqëruar fëmijët e tyre që do të nisnin mësimin.

Prindërit shprehen të alarmuar dhe një pjesë e tyre nuk i kanë lënë fëmijët në shkollë, por i kanë marrë me vete, fakt ky që u pranua edhe nga drejtoresha e shkollës “Kushtrimi i Lirisë”, Merita Bekteshi.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme dhe paraditen e sotme nxënësit e shkollë “Eftali Koçi” kanë vijuar mësimin rregullisht në ambientet e shkollës.