Një histori e frikshme po del në dritë këto ditë në një sallë gjyqi në Milano. Një çift akuzohet për vdekjen e fëmijës së tyre vetëm 9 muajshe, për shkak të kequshqyerjes dhe keqtrajtimit.

“Në ditët që pasuan vdekjen e Aurorës 9-muajshe, i ati i saj, Marco Falchi, këndonte nga qejfi”,- rrëfen një fqinjë e çiftit në sallën e gjyqit.

“Na kërkonin qumësht për t’i dhënë vogëlushes, por blenë një makinë menjëherë pas vdekjes së saj. Nëna e vajzës më tregonte se i jepte foshnjes 5 shishe ujë me kamomil në ditë”,- tregon një tjetër banore e pallatit ku jetonin dy prindërit e foshnjes.

Sipas ekspertizës mjekoligjore, vogëlushja ka vdekur për shkak të një ataku kardiak, i shkaktuar si pasojë e dehidratimit. Ajo është gjetur në kushte mjaft të mjerueshme, ndërsa për kushte higjenike as që mund të bëhej fjalë.

Në bazë të provave që ka sjellë prokurori në sallën e gjyqit, rezulton se çifti Marco Falchi dhe Olivia Beatrice Grazioli kanë blerë një automjet me vlerë 9.300 euro, pikërisht ditën e vdekjes së Aurorës së pafajshme.

Çifti në fjalë rrezikon të dënohet me 24 vite burg secili.