Edukimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara duhet parë si pjesë e detyrimit që një vend dhe shoqëri ka. Deklarata e Salamankës (1994) përcakton qartë detyrimin e një vendi për të ofruar edukim përfshirës për këta fëmijë në shkollat normale përmes një ambienti social që siguron mundësi më të mira të të mësuarit, duke adresuar konkretisht sfidën që kanë këta fëmijë për t’u përshtatur në këtë sistem shkollor.

Shkollat duhet të ofrojnë mjetet më të efektshme për të luftuar qëndrimet diskriminuese, për të krijuar komunitete mikpritëse, për të ndërtuar shoqëri gjithëpërfshirëse dhe për të arritur edukimin për të gjithë. Por me ç’realitet përballet sot sistemi arsimor shqiptar dhe fëmijët me aftësi të kufizuara dhe prindërit e tyre. Ambera Duka, zv/dekane e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Durrësit flet për problematikën me të cilën përballen fëmijët me aftësi të kufizuara dhe përpjekjet që bëhen për integrimin e tyre.

Tabloja nuk është fort e ngjyrosur, pasi që në familje këta fëmijë përballen me sfidën e të mospranuarit, ndërsa në ambientin përreth me diskriminim dhe lënien mënjanë. Në shkolla dhe qendrat ditore për trajtimin e tyre në Durrës, rezultatet vetëm në shumë pak raste mund të konsiderohen optimiste, po në tunel jo gjithnjë ka vetëm errësirë. Duka beson se përtej problemeve, integrimi i këtyre fëmijëve është pjesë e sfidës sonë të përbashkët.

Znj. Duka, ju ndiqni nga afër zhvillimet për sa i përket edukimit special, ku përfshihet dhe puna me fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara. A mund të na thoni cila është situata realisht në Durrës, pasi dhe të dhënat, statistikat që jepen shpesh tingëllojnë kontradiktore?

Të punosh me fëmijët është një gjë sa e vështirë, po aq e bukur dhe fisnike. Kur ky fëmijë është me nevoja të veçanta, roli i edukatorit merr vlera të shumëfishta. Në klasat tona numri i fëmijëve me nevoja të veçanta po rritet dita ditës. Nëse do t’iu referohemi të dhënave që na ofrohen ka një mospërputhje ndërmjet tyre dhe numrit real të këtyre fëmijëve nëpër klasa, pasi këto të dhëna i referohen vetëm fëmijëve që paraqiten me raport. Por problemi është se shumica e këtyre fëmijëve nuk deklarohen.

Kështu, në rrethin e Durrësit, 93 fëmijë janë të integruar në shkollat publike dhe jo-publike dhe 115 në shkollën Speciale. Por në realitet, nga disa vëzhgime të kryera për efekt studimi, numri i këtyre fëmijëve nëpër klasa është shumë më i madh. Pra, kemi një mospërputhje të shifrave që ne disponojmë dhe numrit real të nxënësve me nevoja të veçanta që janë frekuentues të rregullt të shkollës.

Nëse do t’iu referohemi të dhënave që na ofrohen ka një mospërputhje ndërmjet tyre dhe numrit real të fëmijëve me nevoja të veçanta. Nuk duhet t’i kujtojmë këta fëmijë vetëm në ditë të veçanta. Por kujdesi për ta duhet të jetë i përditshëm, pasi vetë jeta nuk jetohet në një apo dy ditë, por në vijueshmërinë e përditshme, me vështirësitë dhe bukuritë e saj

Vetë prindërit e kanë të vështirë të pranojnë një “kufizim” që ka fëmija i tyre. Pyetjet që më shqetësojnë janë: Çfarë po bëhet në drejtim të mësuesve që i kanë të përfshirë në klasat e tyre këta nxënës? A kanë njohuritë e mjaftueshme mësuesit tani mbi aftësinë e kufizuar? Pse duhet ta njohin atë? Si punohet me këta fëmijë? A duhet të përshtatim mësimdhënien në lidhje me aftësitë dhe nevojat për të nxënë që ka secili nxënës?

Ç’duhet të bëjë një prind që ka një fëmijë me aftësi të kufizuara për të ndihmuar në zhvillimin e tij, pasi në të shumtën e rasteve edukimi i tyre konceptohet si formë e mbajtjes nën kontroll?

Në radhë të parë prindi duhet të ndërgjegjësohet që të pranojë fëmijën e tij ashtu siç ai është, me bukuritë, me çapkënllëqet, me problemet në dukje të vogla, po që më vonë bëhen më të mëdha, e me çdo gjë që ky fëmijë ka, dhe më pas të interesohet për ndërhyrjet e duhura që në fëmijërinë e hershme. Çdo ndërhyrje në kohën e duhur, zvogëlon dhe zbut problemin e fëmijës.

Flitet për integrim të këtyre fëmijëve në ambiente me fëmijët normal, po ka mjaft raste kur ky integrim jo vetëm që nuk ndodh, po ka dhe kosto për fëmijët normalë. Në varësi të fokusit të mësuesit njëra palë lihet mënjanë…

Kur flasim për integrim të fëmijëve me nevoja të veçanta, duhet të kemi parasysh se çfarë duhet të kuptojmë me integrim të tyre. Integrim, nuk do të thotë vetëm prania fizike e fëmijëve me nevoja të veçanta në klasat tona, siç vihet re në disa raste, por sa aktivë janë ato dhe sa i përfshijmë ne në procesin mësimor. Ne po ndeshim dy grupqëndrimesh të mësuesve.

Në grupin e parë përfshihen ata mësues që me punën dhe përkushtimin e tyre janë për t’u marrë model. Dhe në Durrës janë jo pak. Në grupin e dytë, përfshihen ata mësues që këta fëmijë i “braktisin”, duke i ulur ose në bankë të fundit, ose duke mos i përfshirë në orën mësimore. Për këtë kam shkruar edhe në librin tim “Probleme të punës mësimore me fëmijët me nevoja të veçanta”.

Të gjithë aktorët që marrin pjesë në edukimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, duhet të ndërgjegjësohen e të punojnë së bashku që këta fëmijë dhe prindërit e tyre ta kenë sa më të lehtë këtë integrim në edukim. Nëse do të kemi një mirëmenaxhim të kësaj pune, nuk rëndohet asnjëra palë.

Ç’është edukimi special dhe a zë vend ai realisht në sistemin e sotëm arsimor?

Termi “Edukim Special” në vetvete përmban njohuri të mirëfillta shkencore mbi “Aftësitë e Kufizuara ose Nevoja të Veçanta” dhe se si duhet të punojmë me to, për një integrim të tyre në jetën shoqërore. Në Kurrikulat universitare, e sidomos në Fakultetet e Edukimit, kjo lëndë, po gjen hapësirat e duhura. Një rëndësi po i kushtohet edhe në Kurrikulat e Programeve Master që ofrojnë fakultetet e mësuesisë, sepse ndihet si domosdoshmëri në formimin e edukatorëve, pasi në grupet me të cilët ato punojnë, ose do të punojnë, i kanë të përfshirë edhe këta fëmijë.

Së fundmi, është bërë një investim në fushën e edukimit në shkollën publike të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara në Durrës. Çfarë ndikimi kanë smart boards në procesin e nxënies?

Dua të falenderoj grupin e mësuesve të ardhur nga Anglia, Judith dhe Derek Evans. Znj Judith punon në një shkollë fillore, ku në klasën e saj janë të integruar edhe fëmijë me nevoja të veçanta, si dhe z.Derek, i cili punon në një shkollë speciale në Stockton on Tees në Angli. Me dhurimin që kanë bërë në shkollën speciale, kanë kontribuar në drejtim të futjes së teknologjisë së re në procesin e mësimdhënies. 

Vlerat që ofron SmartBoard-i në klasë, si tabelë interaktive, e cila shërben si dritare ku fëmijët mund të punojnë duke lodruar pafundësisht në një të mësuar bashkëkohor. Prania e SmartBoard-it në klasë rrit dëshirën dhe i bën fëmijët më aktiv në orën mësimore. Ajo shërben si një dritare ku fëmijët mund të shohin e punojnë, duke ua bërë më të bukur, më tërheqës, e më të lehtë të kuptuarit e njohurive që ofrojnë programet mësimore. E sidomos kur bëhet fjalë për klasat ku këta fëmijë janë prezent, marrin vlera akoma edhe më të mëdha.

Njëkohësisht duhet vlerësuar dhe falenderuar shkolla Speciale Durrës dhe stafi i drejtuar nga znj. A.Cerçizi, të cilët me përkushtimin e tyre po bëjnë që edhe këta fëmijë të integrohen e të vetëndërgjegjësohen për të qenë sa më të aftë për vete dhe shoqërinë.

A keni një mesazh për prindërit dhe mësuesit, rolin e tyre në trajtimin dhe integrimin e fëmijëve me nevoja të veçanta?

Çdo edukator duhet të planifikojë në detaje punën me këta fëmijë, të disponojë e të zbatojë me rigorozitet Planin Individual Mësimor. Me termin ‘edukatorë’ përmbledh të gjithë ata që punojnë në lidhje me edukimin e fëmijëve, përfshi këtu edhe edukatorët e programeve parashkollore dhe ata shkollore.

Me këta fëmijë punohet shumë në mënyrë të diferencuar, por asgjë nuk dokumentohet dhe planifikohet në bazë të aftësive dhe nevojave që ka secili. Risia që unë shtroj për zgjidhje është, që në këto klasa ku këta fëmijë janë të integruar, duhet të mbeshteten edhe nga një staf specialist, të paktën një mësues specialist, përveç mësuesit të klasës. Të punosh në një klasë me 30-35 nxënës, e plus të kesh edhe një ose dy nxënës me nevoja të veçanta, nuk është e lehtë.

Nuk duhet t’i kujtojmë këta fëmijë vetëm në ditë të veçanta. Por kujdesi për ta duhet të jetë i përditshëm, pasi vetë jeta nuk jetohet në një apo dy ditë, por në vijueshmërinë e përditshme, me vështirësitë dhe bukuritë e saj.                    

Fëmijët me nevoja të veçanta

–         Në rrethin e Durrësit, 93 fëmijë me nevoja të veçanta janë të integruar në shkollat publike dhe jo-publike dhe 115 në shkollën Speciale. Por në realitet numri i këtyre fëmijëve nëpër klasa është shumë më i madh

–         Prindi duhet të ndërgjegjësohet që të pranojë fëmijën me problemet në dukje të vogla, po që më vonë bëhen më të mëdha dhe të interesohet për ndërhyrjet e duhura që në fëmijërinë e hershme. Çdo ndërhyrje në kohën e duhur, zvogëlon dhe zbut problemin e fëmijës

–         Të gjithë aktorët që marrin pjesë në edukimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, duhet të ndërgjegjësohen e të punojnë së bashku që këta fëmijë dhe prindërit e tyre ta kenë sa më të lehtë integrimin në edukim

Duka: Nevojiten mësues shtesë

Çdo edukator duhet të planifikojë në detaje punën me këta fëmijë, të disponojë e të zbatojë me rigorozitet Planin Individual Mësimor. Me këta fëmijë punohet shumë në mënyrë të diferencuar, por asgjë nuk dokumentohet dhe planifikohet në bazë të aftësive dhe nevojave që ka secili. Risia që unë shtroj për zgjidhje është, që në këto klasa ku këta fëmijë janë të integruar, duhet të mbeshteten edhe nga një staf specialist, të paktën një mësues specialist, përveç mësuesit të klasës. Të punosh në një klasë me 30-35 nxënës, e plus të kesh edhe një ose dy nxënës me nevoja të veçanta, nuk është e lehtë.