KORE E VERIUT– Një burrë që po vdiste nga uria në Korenë e Veriut është ekzekutuar pasi kishte vrarë dy fëmijët e tij për t’i ngrënë. Zia e bukës ka pllakosur në të paktën dy provinca, duke bërë që të shtohen rastet e kanibalizmit.

Mendohet se të paktën 10 mijë njerëz kanë vdekur nga uria. Raporte akoma më të zeza vijnë nga Asia Press për Sunday Times, ku thuhet se një person ka zhvarrosur trupat e nipave dhe i ka ngrënë.

Në një rast tjetër një person ka zier fëmijën e tij për ushqim. Pavarësisht raportimeve për zinë e bukës, Kim Jong Un, 30 vjeç, ka shpenzuar shuma të mëdha për të hedhur dy raketa muajt e fundit. Ekziston frika se do të bëhet një test bërthamor, çka ka sjellë reagimin e ashpër të amerikanëve.

Sunday Times raporton për rastet e tmerrshme të kanibalizmit, duke theksuar se zonat në fjalë janë goditur edhe nga thatësira. Po ashtu zyrtarët u kanë konfiskuar atyre ushqimet, duke i shtyrë drejt akteve ekstreme. 

Vjet u raportua se një person kishte vrarë kolegun e tij dhe më pas i kishte ngrënë pjesë të trupit. Atë çfarë kishte ngelur e kishte shitur në treg sikur të ishte mish derri. Koreja e Veriut është goditur nga një kriza e tmerrshme e urisë në vitet ’90, që ka sjellë vdekjen e mes 240 mijë dhe 3.5 milion njerëzve.