Prej javësh tashmë, Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu” i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë.

Por rikonstruksioni i godinës ikonike të Durrësit, ku janë vënë në skenë me qindra shfaqje teatrale dhe janë organizuar me mijëra aktivitete kulturore gjatë viteve të funksionimit të saj, është bërë shkak për prishjen e një lokali, që prej afro 15 vitesh funksiononte ngjitur me të.

Bari “Art Kafe” është prishur këto ditë për t’i hapur rrugë punimeve që po kryhen në ambientet e jashtme të Qendrës Kulturore.

Prishja e tij ka ekspozuar në sytë e kalimtarëve foto printimet, që dokumentojnë momente nga shfaqjet më të famshme të vënë në skenë ndër vite nga trupa teatrore.

Fotot që më parë mund të admiroheshin në ambientet e brendshme të bar kafesë tani mund të shikohen nga të gjithë kalimtarët që përshkojnë bulevardin “Dyrrah”.

Në galerinë e fotove bien në sy disa nga aktorët më të famshëm të trupës “Aleksandër Moisiu” si Nikolin Xhoja, Mirush Kabashi, Gulielm Radoja etj.

Investimi që po realizohet në Qendrën Kulturore po bëhet me fondet e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe bashkisë Durrës.

Në fillim të këtij muaji punimet u inspektuan nga kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako. Punimet përfshijnë onstruksionin tërësor, nga ana fizike, tek ajo arkitektonike, që sipas Sakos do të ofrojnë kushte dhe mundësi të mira pune për stafin teatral, punonjësit e qendrës dhe artistët që ushtrojnë aktivitetet e tyre në këtë godinë.

Sipas kryetares së bashkisë së Durrësit, ky projekt e ka afatin e përfundimit të punimeve dy vjet sipas kontratës, por puna është ndarë në faza për të mos penguar punën e artistëve.

M.B.