Kreu i IKMT-së, Fatmir Metaj është dënuar një ditë më parë nga gjykata e Tiranë me 1 vit e 3 muaj burg për shpërdorim detyre.

Dënimi është dhënë nga gjyqtari Sokol Pasho ndërsa Metaj ka qenë i proceduar penalisht edhe me disa pjesëtarë të stafit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

Në akuzën e ngritur nga prokuroria e Tiranës pas kallëzimit të disa qytetarëve, Metaj u mor i pandehur për prishjen e katër objekteve, një prej tyre me leje ndërtimi dhe tre objekte në proces legalizimi.

Sipas prokurorisë këto objekte nuk duhet të ishin prishur pasi një prej tyre ishte i pajisur me leje dhe tre të tjerët në proces legalizimi çka pamundësonte zbatimin e procedurës së ndjekur nga IKMT për prishje.

Objektet e prishura përgjatë viteve 2013-2014, kanë qenë të ndërtuara në rrugën "Mihal Grameno", përgjatë rrugës së Vaqarrit dhe në ish "Uzinën Enver".