Nënkryetari i Partisë Demokrateik dhe deputeti i Durrësit, Oerd Bylykbashi, ka denoncuar sot nga foltorja e Kuvendit atë që ai e konsideron shpronësim abuziv për banorët e qendrës së Durrësit, që preken nga projekti për zbulimin e plotë të amfiteatrit.

Sipas Bylykbashit, banorët nuk po shpronësohen me çmimin e tregut dhe po flaken në rrugë, një gjë që sipas tij nuk e ka bërë as sistemi komunist.

Deputeti durrsak, kërkoi nga strukturat shtetërore që banorëve t’u garantohet e drejta themelore e tyre, ajo e pronës.

“Ata banorë janë gati ta mbështesin këtë interes të publikut, por e drejta e tyre duhet të garantohet për çdo lek, për çdo centimetër katrorë. Ajo që po ndodh sot është veprim abuziv, që as komunizmi nuk guxoi ta rrafshonte të gjithë atë lagje.

Por çfarë të drejtash cënohen? Jo vetëm e drejta e pronës. Ju do t’i paguani me një çmim që është absolutisht jo real, i pavërtetë. Kushtetuta thotë shpërblim i drejtë. Jo vetëm kaq, ju i cënoni të drejtën e banesës, është një e drejtë që ata e kanë të garantuar vetë, nuk ua ka garantuar shteti. Ju i nxirrni në rrugë dhe iu thoni me këto para vrisni veten, por ata nuk blejnë asgjë. Ky projekt duhet rishikuar, duhet çuar në vlerat e tyre, sepse përveç mungesës së transparencës dhe jo proporcionalitetit, ajo që po bëni sot është një selektivitet politik, në çfarë kuptimi? Sa banesa aty po rikthehen, nuk do të prishen, të tjerat përreth do të prishen, ato do të mbeten aty si të vetmuara, vetëm e vetëm se kanë lidhje me pushtetin në bashkinë e Durrësit, me kryetaren e bashkisë. Të tjera do të futen në projektin e prishjes edhe pasi janë rivlerësuar për miliona euro vetëm e vetëm se i intereson ish-kryetarit të bashkisë, pra selektivitet politik. Hallexhinjtë hidhen në rrugë me pak para kurse ata që janë në pushtet do të përfitojnë. Ky projekt duhet patjetër të rikthehet.”, tha ndër të tjera Bylykbashi në fjalën e tij.