6 dhjetor 2014 – Në datat 5 dhe 6 dhjetor u shfaq para publikut artdashës durrsak, edicioni X i festivalit “Tingujt e Adriatikut”. Durrësi e ka kthyer në traditë këtë event, i cili sapo ka përfunduar dekadën e tij të parë. Fëmijët e talentuar mbushin jetën artistiko-kulturore dhe sportive të qytetit me veprimtaritë e tyre të këndshme dhe të larmishme. 
Ky festival u organizua nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës, më saktësisht nën drejtimin e përgjegjësit të sektorit të artit z.Çlirim Kume. Juria serioze përbëhej nga artistë si: Hajg Zaharian, Ilsid Çullhaj, Orges Mema dhe Agim Bajrami, të cilët vlerësuan kompozitorët, këngët, tekstet dhe këngëtarët.
Moderatoret Alesia Çyrbja dhe Xhovana Ajazi, me ëmbëlsinë e tyre i shtuan gjallëri eventit të sipërpërmendur. Këngët shoqëroheshin me performancat e kërcimtarëve të vegjël që ishin përgatitur mjeshtërisht nga koreografi i talentuar Arian Plaku. Festivalin e nderuar me pjesëmarrjen e tyre këngëtarë të vegjël nga Kosova, Maqedonia e Bullgaria. Dy të fundit u vlerësuan me çmimin “Nderi i festivalit”.
Këngët që u vlerësuan me çmime ishin:
Vendi I – Blinera Muzhaku “Shqip këndoj” (Prishtina)
Vendi II – Kejsi Xheta “Ëndërr”
Vendi II – Elif Tusha “Ëndrra me muzikë”
Vendi III – Xhesika Zalla & Klorinda Barushi “Zemra do margaritarin”
Vendi III- Alisia Xhameta “Prindërit të dy i dua ”
Vendi III – Ester Dibrani & Stela Shabani “Shoqja ime”
Ndër kompozitorët pjesëmarrës ishin emrat e mirënjohur si : Kaçinari, Tërkuçi, Ylli Kalaja, Ylli Ramzoti, Metila Dervishi, Erjon Sheqeri etj. Ky event u mbështet nga Bashkia Durrës.
Fotot: mirësjellje e fotografit Tristan Sherif






