PRISHTINE, 17 shkurt 2013 – Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seance solemne parlamentare me rastin e 5- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cila ishte e pranishme gjatë seancës theksoi gjatë fjalës së saj deklaratën e ish Sekretares Amerikane të Shtetit,  Hillari Klinton në parlamentin shqiptar.

“Ne kemi potenciali të bëhemi model, jo vetëm për rajonin, për Evropën por edhe për botën.Ne jemi një komb i ri, plot energji, plot shpresë. Ne jemi një popull multireligjoz. Ne jetojmë në harmoni mes besimeve fetare. Ne respektojmë besimet e njëri-tjetrit. Kjo është një pasuri  unike e kombit tonë. Ky është qytetërim, ky është civilizim”,- tha Topalli.

Kryeparlamentarja vlerësoi arritjet e Shqipërisë dhe Kosovës në të gjithë këto vite, ndërsa shtoi se, të dy vendet duan t’i bashkohen BE-së.

“Ne duam ti bashkohemi BE-së. Një komb një qëndrim është besimi jonë. Një komb një qëndrim ishte motoja jonë në ditë të vështirë, një komb një qëndrim do të jetë në jetë të jetëve. Ne duam të bashkohemi me BE- në, me njëri- tjetrin dhe familjen europiane. Ne duam të integrohemi në Bashkimin Europian. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën e madhe që kërkohet për të hyrë në BE. Ne në Shqipëri, Ju në Kosovë, shqiptarët në Maqedoni, shqiptarët në Mal të Zi”,- tha Topalli.

Seancën e kanë ndjekur edhe Presidenti, Bujar Nishani, kreu i PS-së, Edi Rama si dhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.