FUSHË KRUJË, 23 shtator 2013 – Një 23-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa bashkëshorti i saj është plagosur rëndë, pasi u përplasën nga një automjet tip furgon, në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë.
Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në afërsi të fshatit Ahmetaq, kur 24-vjeçari Bardhyl Bakalli dhe bashkëshortja e tij 23 vjeç, janë përplasur nga furgoni me targa AA775CK, teksa qëndronin në anë të rrugës duke pritur një automjet të rastit për të shkuar drejt Durrësit.
23-vjeçarja humbi jetën në vendngjarje ndërsa bashkëshorti i saj u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak, prej ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit, ndërkohë që paraprakisht ka përcaktuar si shkak të aksidentit shpejtësinë e tej normave të lejuara, ç’ka ka çuar edhe në daljen e mjetit nga rruga duke përplasur çiftin.





