Oluasina Abe Sundai pritet sot në Durrës. Mësohet se nigeriani është nisur për në Shqipëri dhe gjasat janë që e hëna ta gjejë në tokën shqiptare. “Odiseja” e dokumentacionit ka marrë fund, teksa kujtojmë se lojtari kishte probleme me vizën.

Mbrojtësi i linjës së djathtë është një dëshirë e kahershme e klubit, pasi edhe gjatë janarit ishte pranë transferimit. Në dimër u përfol për një akord mes 26-vjeçarit dhe Teutës, por nigeriani nuk erdhi kurrë në Durrës. Këtë herë situata është ndryshe, pasi Sundai do të jetë pjesë e skuadrës së drejtuar nga Magani.

Pas fundjavës pushim, ekipi do të rinisë përgatitjet në orën 17:30 të ditës së sotme. Skuadra do të grumbullohet dhe do të jetë e gjitha nën urdhrat e stafit teknik. Afrimet e reja do të kenë mundësi të ambientohen me grupin, ndërsa futbollistët që ishin sezonin e shkuar do t’u nënshtrohen stërvitjeve intensive. Deri më tani është ndërhyrë në repartin defensiv, kurse janë afruar dy mbrojtës krahu dhe një qendërmbrojtës.

Ndërkohë po kërkohet edhe një mesfushor dhe sigurisht që vëmendja do të jetë te sulmi. Projekti i klubit është më shumë se ambicioz, ndërsa pretendon që të kapë majat këtë sezon. Për këtë drejtuesit kanë menduar që të vendosin në dispozicion të ekipit edhe një autobus të ri, për të pasur më shumë komoditet në transport dhe sidomos në transferta. Në të njëjtën kohë po punohet edhe me infrastrukturën e stadiumit.

Kështu, durrsakët sezonin që vjen do të kenë kushte më të mira, por edhe po krijojnë një ekip, i cili nuk duhet të diskutojë zonën “Euro”.