Pritet që Teuta e re të mësohet pas datës 20 qershor. Me çfarë është kuptuar, pikërisht rreth mesit të muajit qershor është programuar për të nisur edhe organizimin e sezonit të ri futbollistik.Pas kësaj date pritet të mësohet diçka më shumë edhe për sa i përket merkatos që do të bëhet. Çfarë futbollistësh do të afrohen dhe që do të mundësojnë ngjitjen e skuadrës në ato nivele që është mësuar këto sezone. Gjasat janë që të bëhet e pamundura për të pasur një Teutë pretendente në këtë sezon.

Te Teuta është koha për pushim, por plani është që boshti i skuadrës i sezonit të ri do të jetë me futbollistët kryesorë që mbyllën kampionatin e fundit. Gjithashtu, parashikohet që të afrohen vetëm lojtarë që janë të aftë të bëjnë diferencën dhe e njohin mirë Kategorinë Superiore. Drejtuesit kërkojnë të ndërtojnë një ekip me lojtarë shqiptarë për të mos përsëritur gabimet e sezonit të shkuar, ndërsa ambiciet sërish do të jenë të mëdha. Nga skuadra e vjetshme, lojtarët më të rëndësishëm janë nën kontratë dhe do të krijohet baza me ta.

Për të ndërtuar një cikël fitues, duhet një bosht ku të bazohesh, pasi nevoja për të pasur lojtarë që dinë të ruajnë ekuilibrat në dhomën e zhveshjes dhe në fushë është e madhe. Pra, kërkohet një ndërthurje mes të rinjve dhe atyre me eksperiencë. Në këto sezone, te Teuta ka pasur shumë afrime dhe largime. Lojtarë që vinin dhe iknin pa lënë gjurmë. Sezoni i fundit, pavarësisht pozicionit në klasifikim, mund të quhet i suksesshëm, pasi Teuta ka fituar disa lojtarë për të ardhmen dhe ku mund të bazohet projekti. Në Durrës po mësohen me faktin se skuadra e Teutës nuk do të luajë në Europë këtë sezon dhe tashmë kanë nisur të mendojnë përbërjen që do të ketë ekipi pas mbylljes se sezonit.