Muzeu Arkeologjik i Durrësit është kthyer në kantier ndërtimi.
I gjithë perimetri i tij është rrethuar, ndërsa pritet të nisë puna për restaurimin e tij.
Restaurimi i muzeut do të realizohet në kuadër të programit EU4Culture dhe pritet të kushtojë rreth 350 milionë lekë.
Ky është i disati sit i trashëgimisë kulturore në Durrës, që do t’i nënshtrohet restaurimit, pas dëmtimeve të marra nga tërmeti i fundnëntorit të vitit 2019.
Në tabelën informuese për zbatimin e projektit njoftohet se restaurimi i këtij siti nis në muajin gusht dhe do të zgjasë 11 muaj dhe me shumë gjasë muzeu do të jetë i mbyllur për turistët e huaj sezonin e ardhshëm veror.
Në kuadër të programit EU4Culture, që është një ndihmë e BE-së për trashëgiminë kulturore të vendit tonë pas tërmetit të 26 nëntorit, po restaurohen një sërë sitesh dhe muzesh në Durrës, Tiranë, Krujë, Kavajë etj.
Fondi i akorduar në total për këtë program kap vlerën 40 milionë euro.
Në mesin e muajit korrik, Këshilli Bashkiak Durrës miratoi kalimin për një vit në përdorim të një sipërfaqeje prej 155 metra2, të pozicionuar në lagjen nr.1, ku do të magazinohen objektet në inventar të Qendrës Muzeore Durrës gjatë restaurimit të Muzeut.
E ndërsa Muzeu Arkeologjik do të nisë të restaurohet, shumë shpejt pritet të hapë dyert në Durrës, Kulla Veneciane.
Ishte vetë EU4Culture që njoftoi përmes një postimi në rrjete sociale se është duke u punuar për përmbajtjen multimediale që do të transmetohet në këtë monument historik, e që ka për qëllim t’u japë vizitorëve dhe turistëve të huaj një informacion të hollësishëm mbi disa nga sitet arkeologjike dhe historike më të famshme të Durrësit.
Ndërkohë, vazhdon të mbetet i mbyllur për të tretin vit shtëpia muze e Aleksandër Moisiut, që njëkohësisht shërben edhe si Muzeu Etnografik i qytetit.
Edhe ky monument do t’i nënshtrohet restaurimit, pas dëmeve të pësuara prej tërmetit të 26 nëntorit.
M.B.