Kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me krizën politike duke thënë nga Elbasani se sot ne jemi në fazën përmbyllëse të krizës politike, por nga ana tjetër, ka shtuar Rama, PD po bën lojëra politike.

Mesazhi i kryeministrit vjen në një moment kritik në skenën politike dhe mbetet për t’u interpretuar si një sinjal se kriza politike është drejt zgjidhjes. 

Por nga ana tjetër, Rama ka paralajmëruar se nesër PS do të hapë zyrtarisht fushatën elektorale në Tiranë, një sinjal ky "negativ" që nënkupton moszgjidhjen e krizës, pasi opozita ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve.

Rama ka shtuar se në fakt PD kërkon të bëjë një lojë politike. Kryeministri Edi Rama ka sulmuar Lulzim Bashën duke thënë se pavarësisht se negociatat kanë qenë të mbyllura dhe jashtë lupës së medies, kryedemokrati ka dhënë informacione të shtrembëruara për shtypin.

"Tani, jemi mësuar në shumë vite që të shikojmë sherr, konflikt, të shikojmë dasi e përplasje e kriza që në mos të gjitha, në të shumtën e herës janë krijuar nga vetë politikanët, nga vetë partitë e elitat, të cilat flasin për popullin gjithë ditën por shumë pak mendojnë e përpiqen të bëjnë për të.

Sot ne jemi në fazën përmbyllëse të një krize të krijuar komplet artificialisht. Kjo parti zgjodhi që të mbyllet në një çadër në mes të bulevardit dhe krizën e saj ta eksportojë jashtë çadrës duke mos ngurruar që t'i hapë luftë gjithë miqve dhe partnerëve të Shqipërisë që me të drejtë bënini thirrje për tu kthyer në rrugën e arsye. Ju jeni dëshmitarë që ne bëmë cdo përpjekje dhe se këto përpjekje për të adresuar çështjet që kanë nevojë të adresohen, janë përpjekje që nuk i ka bërë asnjë qeveri më parë"- tha Rama.

Rama ka folur edhe për tërheqjen e PS-së nga zgjedhjet në Kavajë duke thënë se me të socialistët nuk treguan se kanë frikë, por se u dhimbsen qytetarët dhe vendi.

"U tërhoqëm nga zgjedhjet në Kavajë, për t’i dhënë një mundësi PD-së që ta bëjnë të kthehet nga drejtimi i paditur, por e thamë shumë qartë që tërheqja nga Kavaja nuk ishte prova se kemi frikë, por prova se neve na dhimbset shumë më tepër se atyre vendi, edhe qetësia e njerëzve por edhe mbarëvajtja e procëesit demokratik. Tani vjen dita dhe jemi në orët e fundit ndërkohë që ata vazhdojnë lojën… duke thënë se ata janë dakort për gjithçka nuk ishin dakort! Po mirë më falni tani, cfarë është Shqipëria, një oborr kopshti? Cfarë kuptimi ka e gjithë përpjekja jonë për të bërë shtet dhe për të vazhduar në një rrugë ku askush nuk është mbi ligjin, nëse përsëri politikanët, partitë do të dalin mbi ligjin!"– tha Rama.