E vërteta e çdo gruaje është përballë pasqyrës së saj… E pikërisht këtë të vërtetë pritet ta rrëfejë drama “Gruaja me sirtarë”, e cila vjen premierë të hënën e javës së ardhshme nga trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu”.
E shkruar nga autorja Anisa Markarian, me regji të Suela Bakos dhe me interpretimin, që mbase do të jetë roli i jetës për aktoren Mimoza Marjanaku, drama “Gruaja me sirtarë” synon të zbulojë shumëçka nga historia e trazuar e Vesës dhe të depërtojë thellë në ndjenjat dhe emocionet e publiikut.
“Kam zgjedhur që të rrëfej një histori të një gruaje të abuzuar, e cila e gjen shpëtimin në momentin që vendos ta ndajë këtë histori me psikologun e saj edhe për t’I komunikuar audiencës dhe grave me histori të ngjashme, që ka zgjidhje”,- thotë regjisorja Suela Bako.
“Doja të bëja një monodramë dhe Anisa më tha pse jo. Fola edhe me Suelën, ishte gjithçka e paparashikuar. Anisa solli tekstin dhe ajo që më vjen mirë ta them është se ai tekst është shkruar për mua. Unë duke qenë aktore prej shumë vitesh në teatrin e Durrësit kam qenë pjesë thuajse e të gjithë repertorit të shfaqjeve, por nuk kam luajtur ndonjëherë një rol të shkruar për mua”,- rrëfen aktorja Mimoza Marjanaku.

Drama do të ngjitet në skenën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve për shkak se Qendra Kulturore e Durrësit është në proces rikonstruksioni.
Për Romir Zallën, të vetmin “veshkë mes dhjamit” siç preferon ai me shaka ta cilësojë veten, vepra teatrale do të jetë një udhëtim përmes emocioneve, fjalëve dhe heshtjes që shpesh flet më shumë.
Drama vjen premierë për publikun në datat 24 dhe 25 nëntor, në orën 19.00.
M.B.





