12nëntor 2015 – Kombëtarja shqiptare ka arritur në Prishtinë pak pas orës 17:00, ku është pritur në mënyrë madhështore nga “Plisat” dhe një numër tifozësh, pranë hotelit ku ata do të qëndrojnë.
Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana tha se është i lumtur, që nesër do të zbresë në stadiumin e Prishtinës, duke shtuar se ky stadium është i lidhur me të dhe familjen e tij, sepse edhe babai i tij, Agim Cana ka qenë lojtar i Prishtinës. “Pritja ka qenë shumë e mirë nga çdo person që kemi takuar, çdo makinë na kanë përshëndetur dhe të gjithë njerëzit, ashtu si dhe ‘Plisat’, ndaj dhe ishte vërtet një pritje fantastike”, u shpreh ai.
Ndeshja e parë mes kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës do të zhvillohet nesër, ndonëse një pjesë e lojtarëve kuq e zi janë pikërisht shqiptarë të Kosovës.
/portali Durrëslajm/