Vitet e fundit, Durrësi ka mbajtur peshën kryesore të akomodimit të turistëve të huaj, por edhe shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe diasporës. Kjo jo vetëm për shkak të faktit se qyteti bregdetar është një destnacion, që ofron bregdet të mrekullueshëm, site arkeologjike dhe historike me mjaft vlerë, paketa turistike mjaft të favorshme për çdo tipologji turisti, por edhe struktura akomoduese që garantojnë një shërbim mjaft cilësor.

Nisur nga të gjithë këta faktorë, që sektori i turizmit i ka perfeksionuar falë përkushtimit në vite të të gjithë aktorëve privatë që operojnë në këtë fushë, sezoni i këtij viti parashikohet të jetë edhe më i suksesshëm, sesa ai i një viti më parë.

“Të jem shumë i sinqertë, ndoshta mund të jem optimist më shumë sesa duhet, por këtë sezon e shoh një sezon shumë pozitiv, sepse Durrësi ka ndryshuar në shërbime, në pastërti, në rregull dhe e parashkoj që të kemi një mesatare 6-8%  rritje nga viti i kaluar”,- thotë Neritan Golja, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës.

“Këtë vit, të gjithë operatorët turistikë kanë ruajtur paketat turistike, që kanë pasur nga viti i kaluar. Nuk besoj që do të ketë rritje çmimesh, por gjithsesi pretendojmë që të shtohet cilësia dhe sasia e turistëve, që do të vijnë në Shqipëri”,- bën të ditur kreu i Shoqatës së Turizmit, Eduart Xhepa.

Mos ndryshimi i vlerës së paketave turistike, pavarësisht uljes së pandalshme të euros dhe çmimeve gjithnjë në rritje të të gjitha produkteve të konsumit, kjo edhe për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, pritet të sjellë në qytet flukse të reja turistike.

Por një qytet, që dhe përgjatë sezonit të ulët një nga problematikat kryesore të tij ka trafikun në oraret e pikut, përgjatë stinës së verës pritet të kthehet në një stres të vërtetë për vizitorët, por edhe vendasit. Për këtë arsye, nevojitet marrja e masave konkrete për normalizimin e trafikut.

“Trafiku brenda perimetrit të qytetit është një shqetësim në sezonin turistik, gjë që duhet parë dhe duhen marrë masa që të ketë një rregullim për të mirën e qytetit, sepse duhet të kemi parasysh që fluksi shtohet. Nëse sot jemi në këto kushte dhe kemi një ngarkesë duhet të imagjinojmë, që në korrik dhe gusht do të kemi një ngarkesë super më të madhe”,- thotë Golja.

Nëse pritshmëritë e Dhomës së Tregtisë dhe tur-operatorëve do të përmbushen, Durrësi do të vijojë të mbetet kryeqyteti shqiptar i turizmit.

M.B.