29 prill 2015 – Agjencitë Shtetërore për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënave Personale duhet të jenë të angazhuara seriozisht në ruajtjen e privatësisë së çdo qytetari. Kështu u shpreh Ilir Meta, kryetari i Kuvendit, teksa mori pjesë në punimet e takimit të 17-të të autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Në fjalën e tij, Meta e vuri theksin te rëndësia e mbrojtjes së të dhënave personale, si një e drejtë kushtetuese. Meta tha se në jo pak raste kjo e drejtë sensitive është shfaqur vulnerabël dhe e cenueshme, si pjesë e përditshme e jona, duke kërkuar angazhim maksimal nga agjencitë shtetërore të angazhuara në këtë drejtim. Siguri e angazhim për mbrojtjen e të dhënave private, erdhi edhe nga zv.presidenti i zyrës së mbikëqyrësit evropian të mbrojtjes së të dhënave personale Wojciech Wiewiorowski, i cili tha se po punohet intesivisht për përmirësimin e kuadrit ligjor.
Gjatë këtij takimi autoritetet pjesmarrëse vendosën unanimisht anëtarësimin me të drejta të plotë të Agjencisë Shtetërore të Mbrojtjes së të Dhënave të Kosovës në këtë rrjet. Të pranishëm në këtë event të parë ndërkombëtar ishin 16 delegacione nga Polonia, Hungaria, Ukraina, Kosova, Mali i zi, etj., si dhe përfaqësues të Keshillit Evropian dhe Këshillit të Evropës.
Zyra e mbrojtjes së të dhënave personale është e angazhuar në plotësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, në dhënien e opinioneve për aktet normative, në ndërgjegjësimin e individëve për të garantuar të drejtën kushtetuese, të mbrojtjes së të dhënave personale në administrimin e ankesave në rritje, në kryerjen e inspektimeve me tematika të caktuara në kontrollues që veprojnë në fusha sensitive dhe me ndjeshmëri të lartë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/