DURRES, 10 korrik 2013 – Të kalosh nga njëri vend në tjetrin, është e pamundur në plazhin publik të Durrësit.
Përveçse kanë zaptuar të gjithë sipërfaqen e rërës, privatët kanë nisur dhe rrethimin e plazheve.
Me rrjeta e me ndarje hekuri, privatët jo vetëm kanë ndaluar që pushuesit të vendosin çadrën e tyre, por kanë penguar kalimin nga njëri plazh privat në tjetrin.
Pushuesit tregojnë se për të hyrë në një nga plazhet private, më parë duhet të paguash pasi nuk lejohen nga rojet e vendosur nga pronarët.
"Ajo çfarë po ndodh me plazhin e publike të Durrësit, është e pafalshme. Privatët kanë rrethuar të gjithë rërën, dhe nuk të lëjojnë të kalosh në to, nëse më parë nuk paguan. Vetëm deti i ka shpëtuar privatizimit. Nëse institucionet nuk veprojnë, edhe deti do të privatizohet nga privatët",- shprehet Hysni Muça, banor i Durrësit i cili e frekuenton rregullisht plazhin publik.
Plazhet publike thuajse nuk ekzistojne fare përgjatë vijës bregdetare nga Ura e Dajlanit deri në stacionin "Iliria".
Hapësirat e destinuara për plazhe publike, janë zënë nga pronarët që kanë hotelet aty pranë pa asnjë të drejtë, duke lënë pushuesit që nuk kanë mundësi të paguajnë një çadër të sorollaten për të gjetur një hapësirë, e cila në shumicën e rasteve është shumë vështirë për t’u gjetur.
Nga 100 plazhe private që ka aktualisht plazhi publik i Durrësit vetëm 4 prej tyre u përcaktuan si plazhe publike. Por, edhe këta hapësira janë zaptuar nga privatët me çadra dhe shezllonë, ku pjesa më e madhe e këtyre aktiviteteve janë të paligjshëm dhe të paliçencuara.
Lidhur me gjëndjen aktuale, në bashkinë e Durrësit mësojmë se brenda javës do të ndërhyhet për lirimin e hapësirave publike, të cilat janë zaptuar nga privatët, ndërsa paralel me to, do të hiqen të gjithë rrethimet të vendosura në mënyrë të paligjshme nga ana e privatëve.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





