Ish-ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, ka reaguar për herë të parë lidhur me akuzat se procesi i privatizimit të ish-kompleksit Partizani, nisi gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, kur kryeministër ishte Fatos Nano.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ai thotë se ka kundërshtuar privatizimin e klubit “Partizani”, por këtë e ka bërë gojarisht dhe jo me shkresë.
Majko ka theksuar se mirëkupton cdo lapsus, por dëshiron të sqarojë se procesi (në tentativë) i nisur në qeverisjen socialiste nuk vinte në diskutim ekzistencën e Klubit “Partizani” por kalimin e menaxhimit tek sponsori i Klubit.
Ai nënvizon se Panajot Pano dhe brezi i tij, po të ishte gjallë “nuk do na e falte shkatërrimin Klubit Partizani”, i cili ishte një pasuri publike dhe pjesë e historisë së Shqipërisë.
“…EDHE PER PARTIZANIN E PANAJOT PANOS
Nga media po shoh komente kontradiktore lidhur me faktin se procesi i privatizimit të Klubit “Partizani” ka filluar në periudhën e qeverisjes së Partisë Socialiste.
Dje, për këtë cështje është aluduar se jam angazhuar zyrtarisht (me shkresa), në këtë cështje si ministër i mbrojtjes i qeverisjes socialiste, deri në vitin 2005. Shih linkun https://ëëë.cna.al/…/argita-malltezi-zbulon-komunikimet…
Ndërkaq, para disa ditësh, pasardhësi im, si ministër në qeverisjen e PD, zoti Mediu, ka deklaruar se “indicja” e privatizimit të Klubit “Partizani” ka filluar pasi ai është detyruar të kthejë një përgjigje të pakthyer nga ana ime, ndaj zotit Angjeli që u zëvendësua nga zoti Genc Ruli… Shih Linkun https://ëëë.syri.net/…/fatmir-mediu-procesin-e…/
Tani, ose njëra, ose tjetra, janë të vërteta! Të dyja nuk shkojnë bashkë!
E vërteta është se kam kundërshtuar (jo me shkresë), që të angazhohesha për privatizimin e Klubit “Partizani”. Vec arsyeve të tjera (doja që Klubi të ishte në pronësinë e ministrisë përgjegjëse për sportet), gojarisht kam komunikuar me kolegët, se nuk mund të bëhej një akt i tillë pasi Partia Socialiste sapo kishte humbur zgjedhjet politike të vitit 2005. Ishim në një fazë tranzicioni, të ndryshim qeverisjes. Para zgjedhjeve, si ministër i mbrojtes, kisha nxjerrë një urdhër që ndalonte cdo akt apo kontratë të rëndësishme të përmbyllej në atë periudhë zgjedhjesh politike.
Mirëkuptoj cdo lapsus, por në cdo rast dëshiroj të sqaroj, se pavarësisht kundërshtimit tim, procesi (në tentativë) i nisur në qeverisjen socialiste nuk vinte në diskutim ekzistencën e Klubit “Partizani” por kalimin e menaxhimit tek sponsori i Klubit! Ky Klub kishte peshën e Juventusit apo Realit të Madridit në historinë e futbollit shqiptar! Ai ishte pjesë e kujtesës kolektive që na bën këta që jemi!
Panajot Pano dhe brezi i tij, po të ishte gjallë nuk do na e falte shkatërrimin Klubit “Partizani”, i cili ishte një pasuri publike dhe pjesë e historisë së Shqipërisë. Ky klub sportiv, sot ekziston vec falë insjativës private.
Panajot Panos dhe shokëve të tij, ja kemi borxh ndjesën. Ata lanë pas një histori që vlen të kujtohet për “pronarët” e futbollit shqiptar.
Ju prishën fushën, ku u bënë ata që ishin! Edhe nga fotot bardh e zi, na buzëqeshin për të na kujtuar se…historia nuk është vec pallat! Sigurisht!”, shkruan Majko.