Ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli ka mbërritur në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Mësohet se Ruli është thirrur nga SPAK për t’u marrë në pyetje në kuadër të hetimeve që po kryhen për çështjen e privatizimit të kompleksit “Partizani”.
Hetimet për privatizimin e kompleksit ‘Partizani’, dërguan dje në SPAK edhe ish-gjeneralin Vladimir Qirjazi, i cili mbante postin e komandantit të Komandës Mbështetëse në kohën kur u privatizua kompleksi Partizani, dhe refuzoi të nënshkruajë kontratën e shitjes të cilën ai e konsideroi të paligjshme.
Gjatë javës së kaluar u pyetën edhe dy ish-ministrat e mbrojtjes së qeverisë Berisha, Fatmir Mediu dhe Gazmend Oketa. Ndërkohë që SPAK nuk ka konfirmuar ende se kur do i pyesë të kallëzuarit Sali Berisha ish-kryeministër, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe Arben Imami ish-ministër i Mbrojtjes.
Në krye të dy viteve nga denoncimi i socialistit Taulant Balla, SPAK ka kohë deri në nëntor të këtij viti për t’u shprehur për dosjen e regjistruar për shpërdorim detyre.