DURRËS, 21 prill 2014 –  Botimi i të dhënave nga INSTAT-i për 4-mujorin e katërt 2013 mbi sektorin e ndërtimit ka tërhequr vëmendjen e medieve të specializuara ndërkombëtare, pasi bëhej fjalë se në këtë 3-mujor ishin dhënë 210 leje ndërtimi, kryesisht në Tiranë dhe Durrës.

Në tekstin përshkrues të INSTAT-it thuhet se në tremujorin e katërt 2013 janë miratuar gjithsej 210 leje ndërtimi, sipërfaqja e të cilave është 561.712 metra katrorë.

Lejet e miratuara për ndërtesa rezidente zënë 46,2 për qind të numrit gjithsej të lejeve, dhe ato për ndërtesat jo-rezidente 53,8 për qind.

Për sa i përket vlerës së përafërt gjithsej të lejeve të ndërtimit të miratuara, ajo është rritur 79,7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar, dhe 145,9 për qind kundrejt tremujorit paraardhës.

Në këtë tremujor, ndërtesat zënë pjesën më të konsiderueshme të kësaj vlere me 99,5 për qind.

Vlerën më të lartë të lejeve të ndërtimit për ndërtesa të miratuara sipas klientëve, e zënë klientët privatë me 99,8 për qind, ndërsa për sa i përket vlerës së lejeve të miratuara për punime inxhinierike janë klientët shtetërorë të cilët zënë 97,5 për qind të kësaj vlere.

Gjatë këtij tremujori, numri i lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja është përqendruar në qarqet e Tiranës me 37,6 për qind, Durrësit me 36,7 për qind dhe Shkodrës me 10,0 për qind, mbyll komentin INSTAT-i.

Ndërkohë, “Dyrrah”-u, duke botuar faksimilet e tri nga 6 tabelat gjithsej, por të mangëta në informacion, ka bërë disa përllogaritje për vendin e Durrësit në ndërtimet dhe problemet që dalin.

SIPËRFAQET

Edhe pse qarku i Durrësit ka 36, 6 për qind të numrit të lejeve (77 copë të tilla nga 210 republika) në raport me totalin e vendit, në sipërfaqe ndërtimi me 5 8 332 metra katrorë kundrejt 561 712 metra katrorë gjithsej vendi, Durrësi ka vetëm 10,3 për qind të sipërfaqes, me një mesatare 757.5 metra katrorë për ndërtim kundrejt mesatares së vendit prej 2 674.8 metra katrorë, ose 3 herë e gjysmë më të vogël! Sikurse do të shpjegohet më poshtë, këtë mesatare të lartë të Republikës e jep Tirana.

Tirana, që ka vetëm 2 leje ndërtimi më tepër (79) se Durrësi ose 37,6 për qind të totalit të vendit, ndërtimet kanë një sipërfaqe gjithsej prej 420 046 metra katrorë ose 74,7 për qind të totalit të sipërfaqes si republikë.

Mesatarja e sipërfaqes për një ndërtim në kryeqytet është 5 317 metra katrorë, ose rreth 2 herë më e madhe se mesatarja e vendit dhe 7 herë se mesatarja e Durrësit!

VLERA

Këto shpërpjestime vërehen edhe në vlerat e objekteve.

shkallë vendi të 210 lejet e ndërtimit kishin një vlerë prej 16 651 806 000 lekë ose 118 941 471 euro (1 euro me 140 lekë me kursin e 20 prillit 2014), me vlerë mesatare 79 294 314 lekë (566 387 euro) një ndërtesë.

Në Durrës të 77 lejet kishin një vlerë 1 734 792 000 lekë (12 391 371 euro) me vlerë mesatare 22 529 766 lekë (160 927 euro) një ndërtesë ose 3,5 herë më të vogël se mesatarja e vendit.

Kurse në Tiranë të 79 lejet e ndërtimit kushtonin 12 638 405 000 lekë (90 274 321 euro) me një mesatare për objekt prej 159 979 810 lekë (1 142 713 euro), dy herë më të madhe se mesatarja e vendit dhe 7,1 herë se Durrësi! 

SUGJERIM

Kjo statistikë “e mërzitshme” për lexuesin masiv, nxjerr në pah një problem të vetë statistikave të shtetit, pasi nuk specifikohen në tabela të veçanta sipas qarqeve llojet e ndërtimit: banesa, ndërtime industriale, hotele etj. që jepen në total në tri tabela më vete.

Kështu nuk mund të arrihen përfundime të sakta pse Durrësi është kaq “varfanjak” në raport me Tiranën.

Po ashtu, këto hollësi u nevojiten enteve publike qendrore dhe vendore, studiuesve dhe medieve etj. për një “radiografi” në nivel mikro.

Botimi i këtyre statistikave për ndërtimin nga ana e INSTAT-it ka pasur jehonë në mediet ndërkombëtare, pasi sipërmarrësit e huaj janë të interesuar për klimën e biznesit dhe mundësinë e investimeve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/