Në kuadër të zhvillimit të aktiviteteve shkencore që realizon Departamenti i Turizmit, ditën e martë më 3 prill, në ambientet e universitetit “Aleksandër Moisiu”, zhvilloi punimet Tryeza e Parë Shkencore e realizuar nga Departamenti i Turizmit, Fakulteti i Biznesit, me tematikë “Aspekte të Zhvillimit të Turizmit në Qarkun e Durrësit, Tendenca dhe Sfida”. 

Qëllimi i kësaj tryeze ishte që të ballafaqonte dhe të shkëmbente ide rreth problematikave që shoqërojnë zhvillimin e turizmit në qarkun e Durrësit, me përfaqësuesit e pushtetit vendor, të portit të Durrësit dhe shoqatës së hotelierëve, me synimin që kjo njësi të japë kontributin e saj në zhvillimin rajonal dhe mbi bazën e gjetjeve të orientojnë në të ardhmen kërkimin shkencor.

Ajo u zhvillua nën kujdesin e Përgjegjëses së Departamenit të Turizmit, Nevila Çinaj. Krahas kontributit shkencor të dhënë nga lektorët e departamentit, kontribut të veçantë dhanë edhe partnerët nga Instituti për Zhvillimin e Qëndrueshëm, Mjedisin dhe Turizmin, Prof. Dr Klodiana Gorrica dhe përfaqësuesi i Universitetit të Prishtinës Dr.Sc. Fitim Humolli.

Po ashtu, vlerësohet edhe angazhimi i Drejtores së Drejtorisë së Mjedisit, Sigurimit Teknik, Mbrojtjes së Shëndetit dhe Departamentit të Emergjencave ne Portin e Durrësit Phd.Cand Blerina Hasani, Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, Ledion Lako, Drejtores së Drejtorisë së Politikave të Zhvillimit Ina Xhakoni dhe përfaqësuesit e njësive akomoduese të hotel “Aragostës” dhe “Adriatikut” që mbështetën këtë nismë.