Ujësjellës Kanalizime Rajoni Durrës njofton qytetarët se si pasojë e motit të keq (stuhi e madhe) që ka përfshirë që nga dita e djeshme zonën e Fushë- Milotit dhe Fushë-Kuqes ku ndodhen dy burimet kryesore të furnizimit me ujë të Qarkut Durrës, ka patur ndërprerje të energjisë elektrike.

Nga ndërprerja e energjisë elektrike stacioni i Fushë-Milotit u stakua gjatë natës së djeshme, ndërkohë që ndërprerje të punës pati edhe në stacionin e Fushë-Kuqes.

Grupet e avarisë kanë punuar që në orët e para të mëngjesit për të rikthyer situatën në normalitet.

Pas punës së kryer për disa orë rresht, është rikthyer energjia elektrike dhe aktualisht të dy stacionet e pompave janë duke punuar me kapacitet të plotë që nga ora 11.00 e ditës së sotme.

Për shkak të këtyre problematikave, ka pasur probleme në furnizimin me ujë në njësitë administrative si Ishëm, Manëz, Katund i Ri, Sukth dhe Rrashbull si dhe në disa lagje të qytetit të Durrësit.

Ujësjellës Kanalizime Rajoni Durrës i kërkon ndjesë abonentëve për shqetësimin e krijuar për shkak të problematikave që erdhën nga stuhia e djeshme.