Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra gjyqtaren pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Nure Dreni. 

Vendimi është marrë paraditen e 17 qershorit, pas shqyrtimit të dosjes së pasurisë, integritetit dhe anën profesionale. Seanca e vlerësimit është zhvilluar në fillim të marsit ku gjyqtarja u paraqit me një dosje prej 60 faqesh në mbrojtje të saj.

Relatorja e çështjes Xhensila Pine në seancën dëgjimore ka deklaruar se ishin vërejtur pasaktësi në deklarimin e pasurisë së deklaruar.

Apartamenti prej 155 m2 në pronësi të bashkëshortit, një banesë në Golem, 5.8 milionë lekë bono thesari si dhe një automjet janë bërë objekt shqyrtimi të imtësishëm.

Në konklusionet e relatores u theksua se për gjyqtaren nuk ishte provuar fitimi i mjaftueshëm në kompaninë “Dreni” sh.p.k me ortak bashkëshortin e gjyqtares, për të siguruar të ardhurat për blerjen e apartamentit. Madje çmimi i deklaruar ishte ai me referencën e çmimit.

Sa i përket bonove gjyqtarja deklaroi se bashkëshorti zotëronte vetëm 2.8 milionë lekë të vlerës së investuar dhe 3 të tjera i përkisnin kunatës. Ndër të tjera, komisioni vërejti problem në të ardhura për të mbuluar shpenzimet e shkollës së dy vajzave në Britaninë e Madhe. Në çdo rast gjyqtarja ka paraqitur detaje të plota, por sërish KPK nuk është bindur.

Për kriterin e figurës, gjyqtarja Dreni u vlerësua pozitivisht. Në përfundim KPK ka deklaruar shkarkimin për shkak të problemeve të konstatuara me pasurinë.

Gjyqtarja e Tahirit- Gjyqtarja Nure Dreni, është pjesë e trupit gjykues që po gjykon dosjen e ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Një shkarkim i tillë vjen 7 ditë para se ky trup gjykues ka caktuar si datë për shpalljen e vendimit. Sipas procedurës, do të duhet të zëvendësohet me short nga një tjetër gjyqtar. Kjo e bën thuajse të pamundur që vendimi të jepet në datën 24 qershor