Gjyqtarja e Gjirokastrës, Blerta Marku nuk e ka kaluar vettingun. KPK ka shkarkuar sot nga detyra Markun, pasi gjyqtarja ka pasur probleme në kriterin e pasurisë.

Problemet e pasurisë sipas Birn

Komisioni konstatoi pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 87.93 m2 në Gjirokastër kundrejt çmimit 900 mijë lekë, si dhe për shpenzimet e tjera të kryera në atë periudhë.

Si burime krijimi të kësaj pasurie, Marku deklaroi të ardhurat e saj nga puna si gjyqtare dhe ato të bashkëshortit nga puna në Greqi në shumën 29 mijë euro. Relatorja Qirko konstatoi se subjekti nuk ka arritur të provojë të ardhurat e bashkëshortit nga puna në emigracion.

Në vijim ajo vërejti se në llogarinë e bashkëshortit të subjektit ishin kryer depozitime në vlerën rreth 40 mijë euro gjatë periudhës 2002-2006 dhe jo 29 mijë euro, sa kishte deklaruar Marku se ishin kursimet nga emigracioni. Nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën 1.3 milionë lekë.

Po ashtu, u ngritën dyshime se apartamenti ishte blerë më lirë nga vlera e tij, ku sipas referencave të Entit Kombëtar të Banesave, EKB, duhej të ishte në vlerën rreth 2.5 milionë lekë.

Megjithëse Marku ka deklaruar se ka blerë apartamentin në gjendje karabina, KPK konstaton se nuk janë provuar me dokumentacion punimet e pretenduara. Po ashtu, ka rezultuar se pak kohë pas blerjes, bashkëshorti i subjektit ka lidhur kontratë me Albtelecom për vendosjen në apartament të një telefoni fiks.

Avokatja Reso i kundërshtoi konstatimet e KPK duke theksuar se kishin depozituar kontrata të shitjeve të apartamenteve të tjera në atë pallat, në vlera më të vogla nga sa e kishte blerë subjekti. Sipas Resos, regjistrimi i objektit ishte bërë karabina dhe se nuk kishte leje shfrytëzimi që nxirret kur përfundojnë të gjitha punimet.