NASA ka njoftuar se nisja e misionit Artemis II, e planifikuar në fillim të muajit mars, ka gjasa të shtyhet pas një problemi teknik me rrjedhjen e heliumit në sistemet e raketës.

Të premten, agjencia hapësinore tha se misioni Artemis II, i cili do të dërgojë astronautë në Hënë për herë të parë pas 50 vitesh, mund të nisej më 6 mars. Por administratori i NASA-s, Jared Isaacman, deklaroi të shtunën se ndërprerja e rrjedhjes së heliumit “me shumë gjasa do të ndikojë në afatin e marsit”.

Katër astronautë po përgatiten për një udhëtim 10-ditor drejt anës së largët të Hënës dhe kthim, duke shënuar udhëtimin më të largët të njerëzimit në hapësirë, shkruan BBC.

Kontrolli i së enjtes, që përfshinte furnizimin e raketës me rreth 730 mijë gallon karburant gjatë 50 orëve, fillimisht nuk zbuloi defekte. Por gjatë natës së të premtes, inxhinierët vunë re një ndërprerje në rrjedhën e heliumit të nevojshëm për operacionet e nisjes.

“Ky problem me shumë gjasa do të ndikojë në afatin e nisjes në mars,” tha NASA në një deklaratë të shtunën, duke shtuar se misioni hënor i shumëpritur do të vonohet.

Heliumi përdoret për të krijuar presion te rezervuarët e karburantit dhe për të ftohur sistemet e raketës, dhe çdo ndërprerje trajtohet si një problem teknik serioz.

Drejtori i nisjes së NASA-s, Charlie Blackwell-Thompson, kishte thënë më herët se simulimi i së enjtes ishte “një hap i madh drejt fitimit të së drejtës për të fluturuar”, duke shtuar se ishte “shumë krenar” për ekipin.

Testi ishte përpjekja e dytë e shkencëtarëve për një provë në Kennedy Space Center në Florida, pasi kishin rregulluar problemet e mëparshme me filtrat dhe vulat që kishin shkaktuar rrjedhje hidrogjeni.

Tre astronautë amerikanë, Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, si dhe astronauti kanadez Jeremy Hanse, pritet të nisen me raketën gjigante drejt Hënës, ku do të kenë disa orë kohë për të studiuar nga afër sipërfaqen hënore.

Nëse misioni rezulton i suksesshëm, do të hapë rrugën për Artemis III, i cili do të shënojë uljen e parë të astronautëve në Hënë që nga viti 1972. NASA thotë se ulja do të ndodhë deri në vitin 2028, por pranon se ky mund të jetë një afat ambicioz.