Në kuadër të masave për furnizimin me energji elektrike, përveç mirëmbajtjes së rrjetit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sqaron se, është duke kryer disa investime të rëndësishme, sidomos në zonën e Himarës, Dhërmiut, Radhimës dhe Ujit të Ftohtë në Vlorë.
Për këtë arsyeje, OSHEE ka qenë e detyruar të stakojë energjinë elektrike gjatë javës, me përjashtim të së shtunës dhe të dielës, si masë sigurie e nevojshme për të realizuar punimet që synojnë një siguri maksimale në furnizimin me drita.
E ndërsa investimet në Himarë dhe Dhërmi pothuajse kanë përfunduar, për pjesën e Vlorës (Uji i Ftohtë, Radhimë, Orikum, etj), OSHEE është dakordësuar me firmën private për t’i kryer punimet gjatë orëve të para të mëngjesit (03.00 – 10.00) në datat 27-30 qershor. Më 1 korrik, punimet do të ndërpriten për të rifilluar pas sezonit turistik në shtator.
Nga ana tjetër, OSHEE kërkon të sensibilizojë përdoruesit privat (bizneset) të rrjetit të shpërndarjes, sidomos ato që operojnë në zonat turistike, se është mjaft e rëndësishme t’u përgjigjen investimeve që po kryen OSHEE për të mirëmbajtur rrjetin e tyre.





