Kryetari i PD-së Lulzim Basha e ka cilësuar veprim qesharak hapin e Policisë së Shtetit për procedimin e tij dhe deputetëve të opozitës që morën pjesë në protestën e së enjtes.
Në një prononcim për mediat, Basha tha se e kishte për nder që procedohej për një akuzë të tillë.
“Veprim qesharak i hetuesit Rama–Marku, që ekspozon për fat të keq atë që e kemi paralajmëruar me kohë. Kjo është faza e fundit e autokracisë, ku grumbullohen të gjitha pushtetet. Unë e kam për nder që të procedohem penalisht bashkë me qytetarët që janë ngritur në një protestë legjitime, për të mbrojtur 11 kuksianët e arrestuar padrejtësisht. Mbahen aty sepse janë ngritur kundër një faji të pranuar të Edi Ramës për vendosjen e traut dhe tarifës në Rrugën e Kombit. Beteja do të vazhdojë dhe askush prej nesh nuk trembet nga ky vendim qesharak të hetuesisë politike Rama-Marku. Ndaj i bëj thirrje qytetarëve të vazhdojmë rrugën që kemi nisur. Nuk na arrestojnë do të gjithëve”, përfundoi Basha.





