Në vijim të operacionit “Bregdeti Ynë”, policia ka proceduar penalisht 4 pronarë hotelesh në bregdetin e Durrësit, pasi kishin zënë hapësirën publike me shezlongë dhe çadra të vendosura pa leje.

U proceduan penalisht shtetasit: I. K., G. A., K. G. dhe D. B., banues në Durrës. 

Në njoftimin e policisë bëhet me dije se gjatë këtyre ditëve janë kontrolluar 160 parcela dhe janë hequr rreth 600 çadra dhe 1300 shezlongë.

NJOFTIMI I POLICISË:

Durrës/Vijon operacioni “Bregdeti ynë” 

Procedohen penalisht 4 administratorë subjektesh që kishin zënë hapësirën publike me shezlongë dhe çadra të vendosura pa lejen përkatëse. 

Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim  të zaptimit  të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar  nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës ka 2 grupe FNSH, 2 grupe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbime të Komisariatit të Policisë Durrës, Stacionit të Policisë Plazh dhe të Policisë Bashkiake, kanë vijuar kontrollet dhe verifikimet në territorin e bregdetit të Durrësit. 

Si rezultat i kontrolleve, ditën e djeshme, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës proceduan penalisht shtetasit:  

I. K., G. A., K. G. dhe D. B., banues në Durrës. 

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën bregdetare Përroi i Agait-Plepa-Ura e Dajlanit u konstatua se këta shtetas kishin zënë hapësirën publike duke vendosur shezlongë dhe çadra pa lejen e organeve kompetente.     

Si rezultat i kontrolleve, gjatë këtyre ditëve janë kontrolluar 160 parcela dhe janë hequr rreth 600 çadra dhe 1300 shezlongë.    

Operacioni vijon pa probleme.