Pesë turistë kanë qenë subjekte të punës së policisë së Korçës, pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit çek J. K., 38 vjeç, C. G., 39 vjeç, dhe P. K., 44 vjeç, të tre banues në Çeki, pasi në PKK Tushemisht, në dalje, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në çantat e këtyre shtetasve janë gjetur 1 mjet prerës (thikë), 10.1 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe 251 gramë fara të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me celularët dhe pasaportat e tyre.
Sektori i Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare shpalli në kërkim shtetasit L. G., 46 vjeç, dhe M. K., 72 vjeç, banues në Gjeorgji, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i monedhave”, pasi dyshohet se me anë të mashtrimit, në një dyqan exchange, në Bilisht, kanë këmbyer një shumë lekësh me kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.