Shpërdoruan detyrën dhe kompetencat, procedohen penalisht kryetari dhe anëtari i shoqatës KF Erzeni.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar Durrës proceduan penalisht shtetasit Marjus Shahini, me detyrë kryetari i shoqatës së Klubit të Futbollit Erzeni dhe Fundim Dollaku, anëtar i shoqatës së Klubit të Futbollit Erzeni, për veprat penale “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Për këta shtetas është bërë kallëzim nga ana e Drejtorisë së Shumë Sporteve në Bashkinë Shijak, se dyshohet që Marjus Shahini dhe Fundim Dollaku, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën dhe kompetencat, duke përfaqësuar shoqatën e Klubit të Futbollit, në mbledhje dhe votime, pa lejen e drejtuesve të bashkisë Shijak.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.
Shahini i arrestuar edhe dy vite më parë
Shahini është arrestuar më parë, më 10 janar 2020, kur ka qenë kryeinspektor i IMT-së në Shijak. Arrestimi i tij u bë në kuadër të operacionit “Abuzuesit”, por asokohe u lirua nga gjykata.
SHÇBA Durrës, në bashkëpunim e nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, arrestoi një sërë zyrtarësh policorë, inspektorë vendor, përfaqësues të pushtetit lokal e ndërtues, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, që është shtrirë përgjatë vitit 2019 në vende dhe kohë të ndryshme.
Zyrtarët i lejonin ndërtimet pa leje kundrejt pagesave që varionin nga 1500 deri në 7 mijë euro. Arrestimi i 17 zyrtarëve u bë në kuadër të një hetimi disa mujor, me metoda speciale, ku u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme, të cilët duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra dhe funksioni, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por dhe me shtetas të tjerë, kanë konsumuar veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ dhe ‘Ndërtim të paligjshëm, në bashkëpunim’. Subjektet e këtij procedimi penal, kryenin funksione publike në Policinë e Shtetit, nëpunës të Njësive Administrative, IKMT-ve dhe INUV-it në Durrës, Shijak dhe Manzë.





