Megjithëse ka kaluar prej disa orësh orari zyrtar i punës së administratës, procesi i aplikimit të qytetarëve, banesat e të cilëve janë dëmtuar një vit më parë nga tërmeti, vazhdon ende.

Siç shihet nga pamjet filmike të xhiruara pak minuta më parë nga operatori Denis Simaku, radhët e qytetarëve para Prefekturës Durrës vazhdojnë.

Procesi i aplikimit do të vazhdojë edhe ditën e nesërme, por pavarësisht orës së vonë qytetarët nuk largohen nga sheshi para Prefekturës.

Krahasuar me paraditen e sotme, kur grumbullimet ishin të shumta, madje duke mos respektuar as protokollet anticovid, në mbrëmje ka një numër më të vogël aplikuesish.

Rreth dy muaj më parë, e pyetur nga një këshilltare në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi se nuk besonte se do të kishte një rihapje të procesit për herë të tretë, pas atij të muajit shkurt dhe korrik.

Por duket se qeveria ka vendosur të lirojë sërish “thesin” në prag të festave të fundvitit. Deri më tani, Këshilli Bashkiak Durrës ka miratuar 10.700 familje që kanë përfituar grantet e dëmshpërblimit për dëmtimet DS1, DS2 dhe DS3.