Para nisjes së Procesit të Berlinit në Tiranë, kryeministri Rama ka ndarë pamje nga tryeza ku do ulen liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Ai thekson se Shqipëria sot është e zellshme si Europa Ballkanike.
“Mirëmëngjesi dhe në tryezën e Samitit të parë të Procesit të Berlinit jashtë BE-së, në Piramidën e Diktatorit në Tiranë, ku do të ulen armiqtë e tij të betuar që e shohin me respekt e me vlerësim gjithnjë e më të lartë Shqipërinë, e cila sot është e zellshme si Europa e Ballkanit, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.
Sot mbahet Procesi i Berlinit në Tiranë, i pari takim i të tilla përmasave me fokus zgjerimin e bllokut që zhvillohet jashtë kufijve të BE-së. Pjesë e këtij samiti do jenë përfaqësuesit më të rëndësishëm të Bashkimit Europian, si dhe liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pjesëmarrës do jenë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e cila mbërriti ditën e djeshme në Tiranë, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, kancelari gjerman, Olaf Scholz vendi i të cilit inicioi Procesin e Berlinit.
Kryeministri i Kosovës, Kurti ka mbërritur në Tiranë, ndërsa nga pala serbe, pritet të marrë pjesë kryeministrja Ana Brnabic dhe jo presidenti Aleksandër Vuçiç.